Komunikim

‎Shoqata Europiane për Kulturë Mediatike ka ndjekur me vëmendje ngjarjet e dy ditëve të fundit në Kumanovë.

Ajo shpreh dhimbjen e madhe e njëkohësisht mbështetjen për komunitetin shqiptar të lënduar e të persekutuar; për humbjen e jetëve dhe të lënduarve; për shkatërrimin e shtëpive dhe pasurive të shqiptarëve në Kumanovë. Qeveria maqedonase duhet të ndërmarrë menjëherë masat për ruajtjen dhe kujdesin ndaj komunitetit shqiptar e po ashtu respektimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe dinjitetit të shqiptarëve. Çdo qeveri duhet ta ketë domosdoshmërisht të qartë se shteti i Maqedonisë nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët autoktonë në trojet e tyre dhe pa harmoninë ndëretnike. Kështu që Maqedonia është e detyruar të respektojë të gjitha të drejtat që i takojnë grupeve etnike e veçanërisht shqiptarëve si shumicë etnike dhe shtebërëse e saj.

SHEKM dënon fort edhe terrin informativ në lidhje me ngjarjet në Kumanovë, i cili çon në keqkuptime e keqinterpretime të situatës në vend dhe më gjerë.

SHEKM shpreson që Shqipëria dhe faktori ndërkombëtar të jenë më aktivë në sqarimin e situatës së krijuar si dhe zgjidhjen e saj në uljen e tensioneve; krijimit të ambientit paqësor për të gjithë qytetarët në Maqedoni.

Takim i Shoqatës Europiane për Kulturë Mediatike

Media në “Ekonomi dhe Turizëm”

28 qershor 2014

Hotel Vlora International, Vlorë

 

 

 

                                   

Eveniment i Organizuar me Mbështetjen e Dhomës së Tregtisë, Vlorë

 

Në median shqiptare lajmet nga fusha e ekonomisë dhe biznesit zënë ende një hapësirë modeste, ndërsa media dominohet nga informacionet mbi zhvillimet politike apo lajmet që lidhen me atë që rëndom quhet kronika e zezë. Ka një mori arsyesh pse ndodh kjo: se pari për shkak të presionit të vazhdueshëm që politika bën përmes të gjitha formave për të qenë sa më shumë prezente në media dhe duke mbytur hapësirat për fushat e tjera. Por ka edhe një mungesë të theksuar të profesionalizmit të gazetarëve në fushën ekonomisë, për shkak të specifikës që ka mbulimi i kësaj fushe. Por më shumë se kaq, hulumtimet tona me gazetarët dhe redaksitë e Tiranës, na tregojnë se një nga shkaqet kryesore të prezencës së pakët të lajmeve ekonomike është edhe lidhja e fortë që ka biznesi me politikën dhe mbi të gjitha lidhja e tij me marketingun pranë mediave. Çfarë mund të kuptohet me këtë? Edhe kur në televizone apo gazeta publikohen lajme nga fusha ekonomisë, ato janë sërish aktivitete që kanë në qendër një politikan, si psh përurimi i një fabrike ku merr pjesë një ministër, ose njoftime të autoriteteve të doganave e tatimeve për realizimin e të ardhurave.

 

Trajtimi i lajmeve të tjera, e bën median të gjendet gjithmonë mes reklamës dhe antireklamës, duke prodhuar kështu një konflikt marketimi. Shkalla e lartë e informalitetit, marrëdhënia e ngushtë e mediave me kompanitë reklamuese, bën që lajmi ekonomik të përfundojë vetë në pasqyrimin e ceremonive promovuese. Ndërsa më rrallë gjen analiza që lidhen me borxhin apo buxhetin. Por nuk mund të gjesh lajme kritike lidhur me shërbimet e ofruara nga kompani private.

 

Pikërisht për të evidentuar problematikat e paraqitjes së ekonomisë dhe biznesit në media organizohet Konferenca e parë e Shoqatës Europiane për Kulturë Mediatike.

 

Është zgjedhur qyteti i Vlorës, si pikë kyce e zhvillimit të ekonomisë dhe turizmit; Vlora është një nga zonat me investime të larta dhe sot në vëmendjen e veçantë përsa i përket turizmit, të cilin SHEKM konsideron si një nga boshtet e rëndësishme të ekonomisë. Nëse shteti do i kushtojë një rëndësi më të madhe turizmit atëherë ekonomia shqiptare do të ishte në rritje dhe në nivele më të larta sesa ndodhet aktualisht. E po ashtu nëse media do jetë më e kujdesshme e do i kushtojë më shumë rëndësi paraqitjes së kompanive private, investimeve të tyre në këtë zonë, natyrisht që do të inkurajonte më tej investitorët vendas dhe të huaj në hapjen dhe intensifikimin e bizneseve në këtë zonë kaq të rëndësishme e me bukuri mahnitëse bregdetare.

 

 

Draft Programi

 

17.00. Prezantimi i Shoqatës Europiane për Kulturë Mediatike

 

17.10. Gentiana Skura, Presidente e SHEKM, “Ekonomia në median shqiptare. Sfidat e raportimit ekonomik”

 

17.20. Thoma Mico, politikan “Strukturat ekonomiko-sociale dhe pasqyrimi mediatik”

 

17.30. Arben Breshani, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Vlorë “Biznesi dhe media lokale”

 

17.40. Edlira Prenga, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Publikun, Dhoma e Tregtisë Tiranë “Sfidat e informacionit ekonomik – marrëdhëniet me institucionet publike”

 

17.50. Mentor Kikia (kryeredaktor i Lajmeve në Top Channel) Investigim: “Media prodhon biznes apo biznesi prodhon media?”

 

18.00. Marjeta Mërkuri (përfaqësuese e medias lokale – Vlorë) “Pasqyrimi mediatik, interes i biznesit apo i medias?!”

 

18.10. Përfaqësues të medias lokale - Vlorë

 

18.20. Përfaqësues të biznesit shqiptar dhe italian

 

18.30. Diskutime nga të pranishmit

 

19.00. Koktail

 

 

VLORË , 28 QERSHOR 2014

 

KONFERENCA E PARË E SHOQATËS EUROPIANE PËR KULTURË MEDIATIKE

 

Më 28 qershor të këtij viti Shoqata Europiane për Kulturë Mediatike ka hapur siparin e veprimtarive të saj në qytetin e Vlorës. Pas prezantimit të saj në Hotel-“Internacional-Tirana” më 19 Maj , kryesia e kësaj shoqate vendosi të mbajë konferencën e Parë të saj në qytetin bregdetar me temë “Media @ Biznesi” , veprimtari kjo e mbështetur edhe nga Dhoma e Tregëtisë së Qarkut Vlorë. Organizimi i shkëlqyer i kësaj veprimtarie do të mblidhte në Hotel “Vlora-Internacional” mbi njëqind pjesmarrës , gazetarë , intelektualë të fushave të ndryshme , biznesmenë dhe përfaqsues të lartë të pushtetit vendor në këtë prefekturë. Në përfundim të konferencës së Parë , kryesia e Shoqatës vendosi si koordinatore për këtë Qark , zonjën Marjeta Mërkuri , intelektuale e spikatur dhe gazetarë në karrierë. Më poshtë, për shikuesit e kësaj faqeje, po paraqesim diskutimet më të përzgjedhura nga ata që e morën fjalën në këtë eveniment. Faleminderit Ju, që zgjodhët klikimin dhe leximin e kësaj faqeje .

Media dhe Ekonomia

Mbajtur nga : - Arben BRESHANI , kryetar i Dhomës së tregëtisë , Vlorë

Në çdo sistem shoqëror, media dhe ekonomia janë dy fusha thellësisht të ndjeshme. Ato, sa veçmas mund të zhvillohen, aq edhe të ndërlidhura janë me njëra-tjetrën. A mund të bëjë media pa ekonominë dhe a ka nevojë ekonomia për median? Si pasqyrohet ky ndikim i ndërsjelltë në shoqërinë shqiptare? Për të trajtuar këtë çështje, më datën 28 qershor të këtij viti u mbajt në Vlorë një takim organizuar nga Shoqata Europiane për Kulturë Mediatike , në partneritet me Dhomën e Tregtisë të qytetit Vlorë.

Në këtë sezon turistik u zgjodh pikërisht Vlora për mbajtjen e këtij takimi, si një pikë kyçe e zhvillimit jo vetëm të turizmit por rrjedhimisht edhe ekonomisë. Turizmi nuk mund të shihet thjesht si promovim i ditëve të lira, pushime, argëtim, por duhet pasqyruar edhe realitetin tjetër, që lidhet pikërisht me cilësinë e shërbimit, me çmimet që ofrohen në këto zona turistike. Ajo ç’ ka medias i mungon në këtë bashkëpunim, është përcjellja e ofertës, shërbimit, bërja pjesë e këtij aseti në përditshmërinë e informacionit të sezonit, të një marketingu ku përfitues nuk është vetëm njëra palë.

 

Biznesi nuk duhet parë si strehë e medias, por plotësues i saj. Duhet të ndërtojmë një raport ku konsumatori të shohë median si pikë kontakti, si një adresë ku shkëmbimet e tij me sipërmarrjen janë të shpejta, të përditshme, cilësore. Pra, media të ofrohet njëherësh si një paketë e cila gjendet vazhdimisht e gatshme për tu konsultuar dhe ndërmjetësuar mes dy shërbimeve. Media në këtë aspekt sillet si biznes, siç është natyra e saj e dytë, duke anashkaluar misionin e transportit të një produkti nga terreni, nga adresa ku kryhet, ndodh, zhvillohet, në një gjeografi gjithnjë e më të madhe kontakti me klientin, konsumatorin, qytetarin, potencialin blerës të shërbimit ekonomik.

 

Media lokale është qytetari i përditshëm , që njeh thuajse gjithë banorët e qytetit të tij dhe troket më shpesh në dyert e çdo familjeje, ndaj ai duhet të jetë më afër, më pranë, më pjesëmarrës. Kjo kërkon hera-herës zgjatjen e kohës së punës, aty ku biznesi dhe puna duan një mundësi për të mos e humbur.

 

“Paratë - thotë një sipërmarrës amerikan- janë gjëja e fundit që mungon…idetë po. Pa para mund të shkosh në shumë vende…pa ide nuk shkon askund. Sepse nëse idetë sjellin rezultatin e asaj pune të kërkuar, paratë janë në prag duke të pritur.”A janë vetëm reklamat ato që joshin dhe lakmojnë mediat, si të shkruara edhe elektronike, për të qënë të gatshme nën hijen e biznesit? Sigurisht, paraja i bashkon aq sa dhe i ndan, duke pasur ndërmjet një temperaturë të varur nga sasia e parave që shkëmbehen.

 

Në marrëdhëniet media-biznes mungon përvoja dhe ekspertiza e përbashkët, ku secila nga palët të shohin njeri-tjetrin, njëra si mundësi për të fituar, e tjetra si mundësi për tu rritur. Tendencat tregojnë se biznesët nuk janë fort të afërt me median. Më tepër ruhen prej saj, e shohin si një kanosje të lehtë raportin e publikimeve, duke i besuar më tepër rritjes e njohjes së ngadaltë, çka nuk e stimulon aspak rritjen e shpejtë globale të konkurencës. Nga media e shkruar në atë elektronike, marketingu i biznesit ka ngërçet e veta dhe ekonomia, ndonëse ka fituar terren, nuk është bërë përditshmeri. Informaliteti ka koston e tij në këtë komunikim jo të plotësuar në trajtën e duhur sepse një pjesë e konsiderueshme biznesesh në një gjëndje jo-formale, nuk kanë asnjë mundësi t’i drejtohen medias në një marrëdhënie si partner. Kompanitë e mëdha, kryesisht bankat, kompanitë e sigurimeve, operatorët celularë dhe disa të hidrokarbureve, të cilat janë realisht kompani me peshë dhe fuqi të ndjeshme në treg, janë pothuajse të pakta ato që kanë zyra, departamente të komunikimit me publikun, të marketingut, të reklamës, të shitjes së dyfishtë të produktit nëpërmjet sportelit mediatik, duke qenë njëherësh edhe të privilegjuar por edhe të mbrojtur në treg. Ndonëse efektet e krizës kanë pakësuar në tre-katër vitet e fundit fondet e tyre në këtë komumnikim, ata kanë të konsoliduar qelizat e përbashkëta ekonomiko-mediatike, duke qënë kështu një hap para shumë të tjerave, të cilat janë jo vetëm skeptike por dhe disi mosbesues.

 

Edukimi ekonomik i qytetarëve për financat, buxhetet, investimet publike, transaksionet, shit-blerje aksionesh, nuk janë tashmë vetëm leksione universitare sesa të dhëna që mund të përmirësojnë shëndetin ekonomik të çdo familjeje dhe qytetari. Atij i duhet të marrë dijen e duhur se si paratë e tij të fjetura t’ia bashkojë biznesit që është hapur në këtë angazhim. Sigurisht, thjeshtësia e gjuhës së përbashkët në këtë ekonomi të re dhe media të re, në këtë lëndë si ekomedia, apo media-ekonomi, duhet të nisë. Edhe pse kohë është humbur, nuk është asnjëherë vonë për kultivimin e idesë ku asnjëra palë të mos fshihet por të dyja të guxojnë më tepër, me të njëjtin qëllim të fitojnë më shumë e të ndajnë më shumë.

 

Sa më pak të ditur, sa më shumë të painformuar, sa më pak media në ekonomi, sa më pak ekonomi në media, të gjitha variantet çojnë në një përfundim të përbashkët, se n� këtë formë edhe media edhe ekonomia do të humbasin sëbashku, në vend që të mundësojnë të fitojnë sëbashku, e njëherësh të rriten gjithashtu.

 

Duhen marrë në konsideratë në mënyrë të domosdoshme efektet globale dhe të përfshirjes në familjen europiane. Kjo pasi shtrirja e gjigandëve ekonomikë në kufij gjithnjë e më të zgjeruar të Europës, e që janë gjithnjë në kërkim të tregjeve, natyrisht nuk do të lërë pa prekur edhe tregun tonë, i cili në raport me tregjet europiane është një treg i vogël. Kështu, ekonomia, bizneset, sipermarrjet duhet të ndërtojnë një link të përbashkët që të drejtohen së paku si qeliza rajonale për të pasur më të lehtë, më të butë përballjen me konkurencën e ashpër europiane, e cila tashmë i ka shuar barrierat. Fshehja, strukja, lënia për më vonë, për nesër se ka kohë, nuk është asgjë më tepër vetëm se investimi më i keq që çon dëm një pasuri të mirë.

 

Media duhet të jetë si një avokat që bind klientin se ku duhet të hrxhojë paratë. Nga ana tjetër biznesi nuk duhet të fshihet. Biznesi duhet ta ndihmojë median e jot a blejë atë për të përfituar informalitet. Një ndikim pushteti duke shkëmbyer pushtete.

 

Duhet pasur parasysh edhe fakti se media sociale si facebook, tuitter, instagram, etj, krijojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me konsumatorin. Duke fituar ndjeshëm terren, ajo krijon një efekt të konsiderueshëm.

 

Media si pushteti i katërt dhe qeveria nuk duhet ta shohin njëra-tjetrën as si armiq por as miq. Ata janë në kampe të ndryshme në ndarjen e pushteteve sepse njëra përpiqet të përdorë tejtrën. Nga ana tjetër nuk duhet shkuar në dakortësi privilegjesh sepse ky është moment kur media humbet misionin dhe bëhet shtojcë e qeverisjes duke përfituar shërbime dhe përfitime nga bizneset që e mbështesin atë. Sa më shumë qytetarët ta gjejnë veten në një media, aq më shumë ata kanë marrë pjesë në qeverisje.

 

Të mos harrojmë një detaj me rëndësi të pazëvendësueshme, TË FLASIM SHQIP, ashtu siç konsumatori na dëgjon, sheh dhe merr vesh. Kjo është mënyra njëherësh e efektshme për të fituar dëshirë, kohë, por dhe për të depërtuar në joshjen e atij që duam ta bëjmë pjesë. Sa më shqip në media, sa më shumë ekonomi të veshur mirë më fjalë ku nuk duhet fjalori për ta kuptuar çfarë është thënë, aq më tepër rriten edhe mundësitë e një ngrohtësie shkëmbimi.

Nje falenderim me dashamirësi për bizneset , që u bënë pjesë e këtij takimi dhe mediat që nuk ishin sot si biznese, duke lejuar kështu hapjen e një udhe ku gjurmët janë të përbashkëta.

Në mënyrë të veçantë falenderojmë z. Arben Breshani (Kryetar i Dhomës së Tregtisë Vlorë)

Znj. Marjeta Mërkuri (përfaqësuese e medias lokale Vlorë)

z. Mentor Kikia (Kryeredaktor i lajmeve në Top Channel)

z. Aleksandër Çipa (Kryetar I Unionit të Gazetarëve)

z. Thoma Miço (politikan)

z. Ilir Banushi (Nënkryetar për Zhvillimin Ekonomik, Bashkia Vlorë)